DEKLARATË PËR MEDIA
Në kuadër të aktivitetit të Lëvizjes “Shqipëria Bëhet”, e cila në fokus të saj ka nxitjen e veprimtarive për proceset demokratizuese të vendit, si dhe duke marrë shkas nga zhvillimet e fundit në vend referuar konferencës për shtyp të Kryeministrit të Shqipërisë, Z. Edi Rama, bashkë me Kryeministren e Italisë, Znj. Giorgia Meloni, shprehim shqetësimin tonë për ngritjen e qendrave ku do të strehohen, trajtohen dhe riatdhesohen emigrantë të ardhur nga vende të ndryshme të botës drejt Italisë, me vendndodhje në vendin tonë, në mungesë të informacionit të plotë dhe procedurave të ndjekura në lidhje me këtë marrëveshje.
Që në krye të herës, theksojmë se ndajmë ndjeshmëritë më të thella njerëzore me plagën e çdo njeriu që gjendet në kushtet e emigrimit. Ne jemi një popull me vetëdije të kahershme dhe të plotë për dhimbjen e largimit nga vatra familjare.
Megjithëkëtë, ditën e hënë, në një deklaratë për shtyp aspak dinjitoze të mbajtur në Romë nga Kryeministrja Meloni dhe Kryeministri Rama, si qytetarë të Republikës së Shqipërisë u informuam përmes "faktit të kryer" se shteti ynë ka nënshkruar një protokoll bashkëpunimi me Republikën e Italisë për kthimin e vendit tonë në një bazë të trajtimit të emigrantëve, të cilët kërkojnë azil në Itali, kryesisht nga Afrika dhe Azia.
Nga leximi i marrëveshjes, rezulton se:
1. Protokolli i dakordësuar është negociuar, përpiluar dhe firmosur në mungesë të plotë të transparencës nga ana e shtetit shqiptar dhe posaçërisht Kryeministrit Rama.
2. Nuk ka asnjë informacion nëse për këtë protokoll, i cili implikon çështjet e sigurisë kombëtare, është kryer procedurë dhe është marrë mendimi me shkrim nga institucionet e sigurisë në vend.
3. Ky protokoll rezulton se është negociuar, hartuar dhe nënshkruar pa praninë e Bashkimit Europian, edhe pse çështja e emigracionit është ekskluzivitet i BE-së, pasi preken kufijtë e jashtëm të këtij të fundit.
4. Këshilli i Ministrave i Republikës së Shqipërisë i ka dhënë ekstraterritorialitet një shteti tjetër, duke i njohur dhe të drejtën e mbajtjes së armëve pa u konsultuar dhe pa marrë miratimin nga Parlamenti i Republikës. Kushtetuta, në nenin 2, pika 1, përcakton qartësisht se “sovraniteti në Republikën e Shqipërisë i përket popullit”. Ekstraterritorialiteti në favor të një shteti tjetër është cenim i sovranitetit. Kjo heqje dorë nga sovraniteti mbi një pjesë të territorit për një afat 5 deri në 10 vite nga Këshilli i Ministrave, pra nga ekzekutivi dhe jo nga populli (duke u pyetur me referendum), ose së paku të organit që përfaqëson vullnetin e popullit, i cili në një Republikë Parlamentare është Parlamenti, përbën shkelje të rëndë kushtetuese dhe minim të shtetit të së drejtës.
5. Nuk rezulton që nga Këshilli i Ministrave të Republikës së Shqipërisë të jetë bërë ndonjë konsultim publik për këtë vendimmarrje.
6. Protokolli në fjalë rezulton se ka për objekt të vetin çështje të cilat kanë të bëjnë me territorin e Republikës së Shqipërisë, për sa kohë cenojnë sovranitetin e Shqipërisë në favor të shtetit italian për një pjesë të territorit, duke i njohur shtetit italian të drejtën për ekstraterritorialitet. Kjo kategori vendimesh, sipas nenit 121, pika 1, gërma "a" e Kushtetutës, duhet të adresohet me ligj dhe duhet të kalojë për miratim nga Parlamenti.
Sa më sipër, në kushtet kur të gjitha informacionet e deritanishme mbi çështjen referojnë se asnjë prej procedurave bazë të mësipërme nuk është ndjekur, do të ndërmarrim të gjitha hapat për ta ndalur në vazhdim këtë sjellje, e cila dëmton proceset demokratike dhe përbën një precedent të rrezikshëm të funksionimit të shtetit në mënyra ad hoc.
Në këtë kuadër:
Së pari, u jemi drejtuar me kërkesa me shkrim institucioneve ligjzbatuese dhe Këshillit të Ministrave për informacion të plotë dhe zyrtar mbi protokollin e nënshkruar dhe procedurat e ndjekura në lidhje me të.
Së dyti, në ditët në vijim do të thirret një takim i mbarë faktorëve dhe profesionistëve të fushës për të dakordësuar një qëndrim dhe reagim të përbashkët, duke mos përjashtuar protestat.
Së treti, theksojmë se sjellja e Kryeministrit të Shqipërisë, në këtë rast kritik, por edhe në raste të tjera të ngjashme, provon qartë se miratimi i një ligji të posaçëm për referendumet është jetik për vendin, si mekanizmi më i përshtatshëm nëpërmjet të cilit qytetarët mund të jenë pjesë e këtyre vendimmarrjeve të rëndësishme.
Për sa më sipër, Lëvizja “Shqipëria Bëhet":
1. Në bashkëpunim me faktorë të tjerë të shoqërisë shqiptare, do të propozojë projektligjin "Për referendumet në Republikën e Shqipërisë" dhe do të nisë mbledhjen e 20 mijë firmave si nismë ligjore, sipas nenit 81, pika 1 të Kushtetutës.
2. Në rast se nuk ka reflektim të menjëhershëm nga institucionet kompetente në lidhje me këtë çështje, do të nisë mbledhjen e 50 mijë firmave sipas nenit 150, pika 1 të Kushtetutës, për t'i kërkuar Presidentit të Republikës zhvillimin e referendumit për çështje të një rëndësie të veçantë.
3. Marrëveshjen në fjalë do ta adresojë në Gjykatën Kushtetuese si në kundërshtim me nenet 2 pika 1, dhe 121 pika 1, gërma "a" të Kushtetutës.
Koha e republikës private dhe ad-hoc duhet të marrë fund dhe do të marrë fund!